SA KEQ ME VJEN
Sa keq më vjen
kur dëgjoj përballë,
blegërin njeriu
si dele e perëndisë,
bën beee!, beee!
me zërin pallë,
sa tund lagjen
pranë psikiatrisë.
Them me vete,
eh, mendja bën hata,
ndoshta është çmendur
prej dashurisë...
Por më të shkalluar
se ai, janë ata,
të ulur në oborr
te tryezat e kafeterisë.
Një tufë me mjekë
dhe infermiere,
gëlojnë të shkujdesur,
shijojë kafe,
pa pyetur për dhimbje
dhe potere,
kur mjetet qetësues
flenë në rafte.
Më vjen të çmendem
edhe vet,
të dal përjashta
t’u bie me shkop
te filxhanët
e maskuar me fërnet,
pastaj bluzëbardhëve
në kokë...
Le të thonë më pas,
u çmend i shkreti,
se i gdhend dashurisë
rimën e metrikën,
le të ndezin infermieret
shkarpa muhabeti:
“Gjynah, që s’erdhi
të bënte praktikën!”
Se mua më qan shpirti,
aq keq më vjen,
teksa i çmenduri
fillon të ndërroj avazin,
lë delen e hungëron
ham, ham, ham, si qen,
kafshon zemrën time
me marazin...
|
|
|
|
|
|
|
|