krijimtariaime800x150.jpg

Kapitulli 42

Home
Curiculum

42
Kisha hyrë në vitin e dytë dhe zura të numëroj ditët. Te repartet e punës në periferi të Tiranës kishin ardhur ushtarë edhe dy vëllezërit, Loshi me Luanin. Takoheshim shpesh për të qarë hallet. Punonin për ndërtimin e pallateve të oficerëve të ministrisë së mbrojtjes. Ngjitnin me krahë tezgat e llaçit, tullat dhe shufrat e hekurit, deri në katet e larta. Zvarriteshin pareshtur mes baltërave dhe acarit të plotësonin normën. Duart i kishin të rrjepura nga gëlqerja dhe fytyrat të çara nga të ftohtit. Lodhja e tyre arrinte deri në sfilitje. Me kategorinë minimale të ushqimit që u jepej, mezi e përballonin rëndesën e përditshme. Por s’kisha si i ndihmoja, përveçse duke u dhënë kurajë. Takimi me ta, më bënte të kujtoja me dhimbje damkën e kobshme që na kishte vënë poshtë të gjithëve. Sepse i ndodhur shpesh mes komoditetit të punëve të mia, kishte çaste kur e harroja.
Muajt e fundit mezi shtyheshin. Ditët bëheshin tejet të gjata dhe orët kilometrike. Më rrinte mendja vetëm te lirimi dhe te mundësia për të shpëtuar nga provinca. Në komandë ishin lakuar fjalë se mund të më mbanin me rrogë, për të vijuar mirëmbajtjen e agjitacionit figurativ të reparteve. Por ende nuk ishte gjetur zgjidhja e strehimit.
Njëzetekatër muajt e mi plotësoheshin në fillim të qershorit dhe nga mesi i majit, komandanti i brigadës më thirri në zyrë. Tani me një gjuhë krejt shoqërore, më tha se kishin gjetur një dhomë me kuzhinën përjashta, pranë një kazerme, ku mund të strehohesha përkohësisht. Por i gjithë problemi ishte, të jepte miratimin e qëndrimit kapter prapavije në ushtri, dega ushtarake e Librazhdit. Për këtë, duhej të interesohesha vetë, t’i bindja ata të nisnin shkresën. Ndryshe komanda ishte e detyruar ta dorëzonte ushtarin aty ku e kishte marrë.
Shkova një javë përpara lirimit dhe iu luta shefit të sapoemëruar në Librazhd. Major Xhuvi premtoi se do të më ndihmonte, pasi të merrte dhe ndonjë mendim nga komiteti ekzekutiv. Fatmirësisht, kryetari i komitetit dhe sekretari i parë i partisë, ishin të rinj. Nuk më njihnin dhe shpresat i kisha të mëdha. Por me këtë rast, Xhuvi, si rishtar, gjeti rastin të afrohet me kuadrot e larta të rrethit: “Është një pikturist i zoti nga Librazhdi, që kërkon ta mbajë Tirana...“ Të dy në një gojë, ata e kishin urdhëruar të mos lejohej kurrësesi, pasi rrethi kishte vetë nevojë për një të tillë. Atëherë major Xhuvi kishte hapur dosjen dhe me “xhevahiret” që zbuloi aty brenda, i ktheu përgjigje krejt serbes komandës së brigadës, se nuk mund të lejohej kurrësesi mbajtja nënoficer në ushtri e një personi me biografi të tillë. Ndërsa krejt buzagaz, më tha si pa të keq: “Shko se ta nisëm shkresën!“
I ngazëllyer dhe me besimin e plotë, se shkresa e Xhuvit miratonte qëndrimin, u ktheva në Tiranë. Pikërisht, ditën kur shokët e liruar po shpërndanin gëzimin rrugëve, në të dalë të Saukut. Por kur hyra në zyrën e komandantit, për të marrë përgjigjen përfundimtare, u shtanga qysh te dera. Ai më kundroi me ca sy aq të vrenjtur, sa edhe qielli me shi nuk do ta kishte krijuar një fytyrë të tillë.
Siç ishte e natyrshme, kthimi në shtëpi qe për mua jo gaz, po trishtim i hidhur. Duke kaluar nëpër lagjen Brakë, pa kapele e pa rrip, për t’u larguar përfundimisht nga Tirana, pikasa një gabel shkatarraq të dehur, që zvarritej rrugëve duke kënduar: ”Rrak, tak, take, moj rrenacake, pse s’më dole të ta ngec pake...” Atë çast thashë me vete: “Edhe ky ka fat të jetojë në kryeqytet, kurse unë jo!...” Dhe i dërrmuar e i qorrollisur eca gjatë, eca kuturu mbi gërmadhat e vetes sime.

lineee027.gif



VULLNET MATO
Rruga "Ali Baushi" pall. 3 shkalla 7 hyrja 66
Tel: +355 4 2365201 & Cel: 069 2275145
E mail:  vullnetmato@hotmail.com
Tirana, ALBANIA